Artan Hoxha: Joni Keta më ka hetuar, është njeriu perfekt në krye të BKH

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2025, 21:18 | Kronikë

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, shprehu bindjen e plotë se Joni Keta është njeriu perfekt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

“Mua më bëhet qejfi që njeriu që do ta drejtojë Byrën Kombëtare të Hetimit është një person që vjen nga radhët e BKH-së. Unë mendoja që duhet të ishte një person që nuk mund të them kam lobuar, por kam mbështetur dhe kam promovuar pikërisht këtë person, Joni Ketën. Babai i tij është prokuror i vjetër me shumë eksperiencë. Joni vetë ka një karrierë të vetën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Unë aty e kam ndeshur. Për herë të parë unë e kam ndeshur si hetues. Ka qenë hetues, ka qenë oficer i Policisë Gjyqësore që më ka hetuar mua personalisht. Kështu që, përveç rrethanave të tjera që unë e njoh prej familjes. Në rastin kur mua më janë marrë telefonat në vitin 2016, personi para të cilit kam dhënë deklarime deri në orën 4:00 të mëngjesit ka qenë Joni Keta”, tha Hoxha.

“Në rastin tjetër, në çështjen në hetim që është në adresën time, po ashtu ai është oficeri i Policisë Gjyqësore që ka qenë në kryerjen e kontrollit të banesës sime. Në seancën e deklarimeve që unë kam patur në SPAK, ka qenë Joni Keta. Por, kjo gjë nuk më pengon mua që pikërisht të promovoja dhe ta deklaroja publikisht se një nga njerëzit që i kishte të gjitha parametrat ishte Joni Keta. Ai njeh njëkohësisht edhe SPAK-un, është njeriu i duhur për ta bërë këtë gjë. Deri në këtë moment unë mendoj që zgjedhja e zotit Joni Keta është një zgjidhje për mua shumë e mirë, mbase perfekte, dhe ai është një njeri që e njeh mirë punën, njeh bashkëpunimin që duhet të jetë midis BKH-së dhe strukturës së Prokurorisë. Unë besoj që kanë gjetur njeriun perfekt për ta bërë këtë detyrë. Si do shkojë, këtu do të jemi dhe do ta shohim. Por, mendoj që zgjedhja në këtë moment është shumë e mirë, e paatakueshme dhe një njeri që unë kam besimin që ai e bën dhe i plotëson të gjitha kriteret për ta bërë atë detyrë më së miri. Sepse unë e njoh në çështje konkrete, më ka hetuar vetë. Unë mendoj që ai e meritonte të jetë aty ku është dhe për fat të mirë është zgjedhur ai. Unë them që është një zgjedhje shumë e mirë”, shtoi Hoxha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos