Të enjten Ilir Meta u largua për pak orë nga paraburgimi 313. Ai u zhvendos pak metra larg qelisë, në ambientet e Gjykatës së Posaçme, për seancën gjyqësore të radhës për shqyrtimin paraprak të dosjes.
Seanca nuk u zhvillua normalisht dhe u shty për më 5 dhjetor, prej mosnjoftimit të të pandehurës Monika Kryemadhi, por edhe kërkesave të Metës dhe avokatëve të tij për t’u njohur me aktet e dosjes, shkruan A2.
Për shkak se paraqitej për herë të parë ballë gjyqtares Irena Gjoka, ish-Presidentit të akuzuar për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje të pasurisë” iu kërkua të konfirmojë gjeneralitetet. I pyetur se ç’profesion kishte, ish-Presidenti është përgjigjur “patriot”, duke shkaktuar ilaritet në sallë.
Veç avokatit Kujtim Cakrani, Meta do të përfaqësohet edhe nga avokati Gyslen Zhllima, që kërkoi kohë të njihet me aktet. Kohë shtesë kërkoi edhe vetë ish-Presidenti.
Avokati Cakrani rikonfirmoi vullnetin e klientit të tij për të dhënë deklarime në SPAK për hetimin e dosjes “21 janari”, nëse ftohet nga prokurori i çështjes.
Në të njëjtën kohë që Meta përballej me Gjykatën e Posaçme, në Gjykatën e Lartë një Kolegj Penal shqyrtoi në dhomë Këshillimi kërkesën e tij për lirim nga qelia, duke vendosur në përfundim rrëzimin e saj.
Kjo është përpjekja e katërt e dështuar e Metës në Gjykatën e Lartë, në një kohë që qëndron i izoluar prej tetorit të vitit 2024. (A2 Televizion)