Më datë 21 nëntor, Policia e Shtetit në faqen zyrtare publikoi listën me fituesit e konkursit të aplikantëve që do të ndjekin Kolegjin Profesional të Formimit Policor për Patrullë të Përgjithshme.
Nga 645 aplikantë sipas kuotave të përcaktuar vetëm 300 prej tyre do të shpallen fitues, sipas rënditjes së pikëve. Renditja u bë sipas rezultatit në rend zbritës për aplikantët që kanë marrë pjesë në të gjitha fazat e konkurrimit dhe janë vlerësuar me të paktën 50% të pikëve totale në çdo fazë testimi, shkruan A2.
Por, disa prej aplikantëve të cilët janë renditur te lista fituese e bërë publike nga Policia në faqen zyrtare, një ditë më parë janë telefonuar nga komisioni duke i lajmëruar që janë pezulluar dhe duke mos i dhënë asnjë arsye.
Pasi janë paraqitur për të bërë ankimim, aplikantëve fitues të pezulluar u është thënë se janë pezulluar për shkak të besueshmërisë. Ka raste kur janë pezulluar sepse kanë bërë aksident më parë me makinë, apo të afërm të fisit të tyre me të njëjtin mbiemër janë dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.
Të gjithë aplikantët e pezulluar kanë bërë ankimim.
Më parë, A2CNN ka raportuar se pothuajse mbi 30% e aplikantëve fillestarë nuk u pranuan në konkurrim pasi rezultuan me probleme psikologjike dhe përdorues të lëndëve narkotike.
Skualifikimin e mbi 30% prej tyre e vërtetoi edhe lista zyrtare e aplikantëve që zhvilluan të gjitha fazat e konkurrimit, ku në total janë 645 nga mbi 1 mijë të rinj që aplikuan në fillim. (A2 Televizion)