Asnjë justifikim ndaj dhunës, as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund! Është ky mesazhi i ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, pas ngjarjes së ndodhur në Kamëz, një ditë më parë ku një 27-vjeçare i dha fund jetës, ndërsa 39-vjeçarin Altin Çoku u arrestua me akuzën se me veprimet e tij ka shtyrë të renë drejt vetëvrasjes.
Në reagimin e tij, Balla thekson se duhet të miratohen sa më parë ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës on-line.
“Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e një shtetasje. I kam kërkuar Policisë së Shtetit të rrisim forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në të gjitha, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën! Gjithashtu ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës on-line, duhet të konsultohen dhe miratohen sa më shpejt. #AsnjëJustifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!”, shkruan Balla. (A2 Televizion)