Atentati me dy viktima dhe dy të plagosur në Shkodër ishte temë e debatit në emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli.
I ftuari për këtë temë, gazetari Igli Çelmeta ka bërë një rezyme të dinamikës së ngjarjes dhe profilin autorit Ragip Gila.
Çelmeta rrëfen se autori ka shkuar me një motor në restorantin pranë bashkisë dhe kur ka parë objektivin e tij ka qëlluar me breshëri duke shkaktuar një masakër.
Sipas gazetarit, deklarimet e autorit nuk e kanë bindur grupin hetimor, i cili dyshon se Gila mund të jetë paguar për të kryer këtë krim.
“Ka ndodhur në 08:50 në lagjen Qemal Stafa në ambientet e një restoranti dhe shumë pranë banesës së Erogen Brajoviç. Brajovic ndodhet te trauma në gjendje të stabilizuar. Ky person e ka ditur që objektivin e tij mund ta gjente në këtë vend. Ka shkuar me një motor në restorant dhe ka qëlluar me breshëri. Janë gjetur 28 gëzhoja. Ai qëlloi Brajoviç, por arma i doli nga kontrolli. Liridon Kraja ka lidhje familjare me Brajoviç, nuk është truproja. Autori është panikos kur ka parë që ka bërë masakër dhe ka dalë nga hyrja tjetër e restorantit. Ka qenë i veshur me antiplumbi.
Ragip Gila nën kërcënimin e armës ka marrë një automjet dhe është përplasur me dy makina të tjerë. Hetuesit kanë dyshime që autorin po e prisnin persona të tjerë. Në përpjekje për t’u larguar është rrëzuar dhe ka dëmtuar këmbën. Autori kishte dy armë pasi e dinte ku do shkonte të bënte atentat. Dyshohet se ka shkuar disa herë në këtë zonë.
Ragip Gila u arrestua në 2023 për armëmbajtje pa leje dhe u dënua vetëm për drogë dhe jo për armëmbajtje dhe 6 muaj më parë ishte liruar. Grupi hetimor ka dyshime se është porositur për të bërë krimin dhe persona të tjerë kanë paguar për të dalë më herët nga burgu”, tha Çelmeta në A2 CNN. (A2 Televizion)