U tha fillimisht se e vrau kali, familjarët: Gënjeshtër, i ndjeri tregoi autorin para se të humbte ndjenjat

Nga A2 CNN
8 Shtator 2025, 16:51 | Kronikë

U tha fillimisht se e vrau kali, familjarët: Gënjeshtër, i ndjeri

Një 58-vjeçar nga fshati Rëmbec i Maliqit ka humbur jetën të dielën e 7 shtatorit në QSUT, pas 15 ditësh në gjendje kome. Viktima është Jorgo Ajredini, i cili më 13 gusht u dërgua fillimisht nga familjarët në spitalin e Korçës me plagë të rënda në kokë dhe më pas, për shkak të gjendjes së tij, u transportua drejt Tiranës. Ngjarja fillimisht u referua nga policia si aksidentale, me dyshimin se 58-vjeçari ishte goditur nga kali.

Por familjarët e tij kanë hedhur poshtë këtë version, duke pretenduar se Ajredini është goditur me sende të forta nga një person me të cilin kishte pasur konflikte të mëparshme. Ata tregojnë se viktima, para se të humbiste ndjenjat, u kishte thënë se ishte sulmuar nga një person nga Pogradeci, ndërsa sipas tyre, gjendja dhe plagët në disa pjesë të kokës nuk përputhen me një goditje aksidentale nga kafsha.

“Duam që të dalë e vërteta. Nuk është goditur nga kali. Do ta vërtetojë vetë prokuroria. Duam një letër se nga se erdhi vdekja e vëllait. Ne besojmë se e kanë goditur me plan në një vend të fshehur. Nuk e di çfarë marrëdhënie ka pasur vëllai me bashkëfshatarët. Ne gjetëm telefonin e tij e dorëzuam dhe nuk na kanë thënë asgjë”, tha një nga vëllezërit.

“Unë e gjeta në gjendje të rëndë, e pyeta dhe më tha që më goditi një nga Pogradeci. Fola me doktorin e kam paralajmëruar. Dua që krimineli që e goditi të dalë. Kur vajta unë, policia bënte sesi e goditi kali. Ai nuk arriti në jonxhë. Unë nuk e di...jetoj në Greqi. Më tha që më goditën, shenjat duken”, tregon vëllai tjetër.

Vdekja e Jorgo Ajredinit ka rihapur hetimet nga policia dhe prokuroria e Korçës. Deri tani janë marrë në pyetje rreth 15 persona, mes tyre familjarë dhe banorë të fshatit. Që nga dita e ngjarjes, janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë që ndodheshin në zonë, të cilat po analizohen nga prokuroria. Grupi hetimor pritet të zbardhë përfundimisht nëse bëhet fjalë për një aksident apo një ngjarje kriminale, pasi të dalë raporti mjekoligjor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos