Bashkim Rajku, babai i Rigels Rajkut, reperit të njohur me emrin “Noizy”, dëshmoi të mërkurën në Gjykatën e Posaçme, në procesin ndaj 9 të pandehurve, të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu.
Rajku tregoi mbi shpërthimin e një sasie tritoli në një biznes në pronësi të tij në Durrës, në qershor 2022, nga i cili u shkaktuan vetëm dëme materiale. Sipas SPAK, tritoli është vënë nga i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, me porosi të Laert Haxhiut, si hakmarrje për faktin se shokët e Noizy-t kishin rrahur Kleviol Ahmetin, një tjetër reper dhe personazh “tik-tok”-u, i njohur si Kllevio.
Dëshmitari Rajku tha se nuk dinte me çfarë ta lidhjte ngjarjen, pasi nuk kishte probleme me kënd, shkruan A2.
“Por tani, çështje xhelozie, çështje rinie, nuk e di. Ne pas 4 vjetësh e kemi dëgjuar në televizion. As nuk e dija kush mund ta kishte bërë”, tha dëshmitari.
I pyetur nëse kishte dëgjuar emrin e Klevis Ahmetit, dëshmitari Bashkim Rajku tha se dinte që ishte artist, se merrej me muzikë e me rrjetet sociale. “Më duket se kanë pasur fërkime të vogla me Rigelsin. Punë xhelozie, konkurrence. Xhelozi për punë muzike. Veç kësaj, nuk di të ketë pasur ndonjë konflikt fizik, apo verbal”, u shpreh dëshmitari.
Vetë Noizy, dëshmitar në proces, nuk u paraqit të mërkurën, ndërsa do të njoftohet për seacën e radhës, të caktuar më 28 maj. Për të njëjtën seancë do të thirret për dëshmi edhe Klevis Ahmeti.
Më herët, gjykata u njoh edhe me dëshminë e vëllezërve Juxhin e Raido Kajdo, dëshmitarë okularë në tentativën e vrasjes së Kujtim Metës, më 20 prill 2022 në Lushnje. Ata thanë se kishin qënë disa tavolina larg Metës, në të njëjtin lokal, kur atentatori i maskuar kishte hyrë në lokal dhe qëlluar drejt tij.
Dëshmitarët thanë se nuk e kishin njohur atentatorin dhe se kishin kaluar trauma pas ngjarjes. (A2 Televizion)