Ka rënë në prangat e Policisë shtetasi 24-vjeçar, i cili u shpall në kërkim pas ngjarjes së ndodhur pak ditë para zgjedhjeve të 11 majit, te zyra e PSD-së në zonën e Ali Demit në Tiranë.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ai ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja dhe shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kanosja”.
Kujtojmë se 24-vjeçari sëbashku me babain e tij, pas një konflikti që kishte pasur me një tjetër person, shkuan me kallashnikov në dorë te zyra e PSD-së në Tiranë, për të ‘sqaruar’ konfliktin, shkruan A2 CNN.
Fatmirësisht nuk pati përleshje të mëtejshme gjatë momentit që babë e bir ishin të pajisur me kallashnikov, pasi persona të tjerë ndërhynë mes tyre dhe situata u zgjidh momentalisht.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Plan operacional nga strukturat e DVP Tiranë, për kapjen e shtetasve në kërkim.
????Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën dhe ndaluan shtetasin L. T., 24 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja dhe shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kanosja”. Ky shtetas sëbashku me babain e tij shtetasin A. T( i ndaluar me datë 18 Maj), dyshohen si autorët e ngjarjes me datë 29.04.2025, në Ali Dem.
(A2 Televizion)