E kthyer si një nga parajsat e krimit të organizuar për shkak të pamundësisë së shteteve për të ekstraduar nga Dubai, ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se po punon me emiratet e bashkuara për një tjetër opsion.
Dëbimi i elementeve kriminale nga Dubai ndoshta është një mundësi për të shkuar tek më të kërkuarit e drejtësisë Shqiptare.
Në përpjekje per të rritur sigurinë, por edhe luftës ndaj krimit të organizuar Policia e Shtetit do të ketë një ligj të ri, i cili do t’i kalojë për miratim qeverisë.
Veç garantimit të sistemit të karrierës për të rinjtë projekti do të parashikojë ngritjen e strukturave të reja brenda Policisë së Shtetit që do bëjnë vlerësimin për përzgjedhjen e kandidatëve në pozicionet drejtuese, mënyrë kjo që sipas Ballës do të shmangë çdo lloj ndërhyrje.
Ministri shtoi se ndryshimet parashikojnë dhe nocionin e mandatit për drejtorin e përgjithshëm, por edhe drejtorët e policive në qarqe.
Në Policinë e Shtetit do të krijohet dhe zyra e Rikuperimit të Aseteve Kriminale. Ministri i Brendshëm shtoi se me ndihmën e donatorëve do të bëhet i mundur dhe një sistem i ri komunikimi në Policinë e Shtetit.
Sa i përket formularit më të fundit mbi vetëdeklarimin e Punonjësve të Policisë së Shtetit Balla tha se është një nga mënyrat e duhura që organizata bën për largimin e punonjësve të korruptuar apo inkriminuar. (A2 Televizion)