Një aksident prej të cilit ka mbetur i plagosur një person është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Korçë-Ersekë.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të fshatit Kamenicë, ku një mjet tip "Mercedes Benz" është përplasur me një mjet të tonazhit të rëndë, ndërkohë që në këtë aksident është përfshirë dhe një tjetër mjet.
Sipas policisë, mjeti i tonazhit të rëndë ka qenë duke ardhur nga Erseka në drejtim të Korçës ndërsa mjet tip "Benz" ka qenë duke lëvizur në sensin e kundërt.
Ka qenë drejtuesi i mjetit "Benz" ai që ka devijuar në krahun tjetër duke shkaktuar edhe përplasjen. Për rrjedhojë ka ngelur i plagosur drejtuesi i mjetit, i cili ndodhet në spitalin e Korçës nën kujdesin e mjekëve.
Burime pranë këtij spitali thanë se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetën. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton për shkaqet e këtij aksidenti. (A2 Televizion)