
Policia e Vlorës ka njoftuar ndalimin e dy vëllezërve dhe shpalljen në kërkim të një personi të tretë pasi kanë blerë vazhdimisht me dollarë fals në subjekte në ndryshme në qytetin bregdetar.
“Hetimet identifikuan 3 shtetas që dyshohet kanë hedhur në treg, kartëmonedha false, duke blerë vazhdimisht me to, në subjekte në ndryshme në qytetin e Vlorës. Kapen 2 prej tyre (vëllezër), punohet për kapjen e bashkëpunëtorit. Sekuestrohen një sasi e konsiderueshme kartëmonedhash (dollarë) të dyshuara të falsifikuara dhe 4 celularë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i hetimeve intensive të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Fake Cash”, lexohet në njoftim.
Të ndaluar janë shtetasit E. Gj., 27 vjeç dhe J. Gj., 28 vjeç (vëllezër), të dy banues në Vlorë,dhe kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, që i ka caktuar Gjykata e Vlorës, secilit prej tyre, me vendimin e datës 10.02.2026. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tyre, shtetasit E. K., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Policia njofton se “gjatë operacionit u sekuestrua një sasi e konsiderueshme kartëmonedhash (dollarë) të dyshuara të falsifikuara, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit, dhe 4 celularë”. (A2 Televizion)