Avokati Kujtim Cakrani, i ftuar në emisionin “Dita jonë” në A2 CNN, rrëfeu për publikun episodin e dhunës së ushtruar ndaj tij dhe pasojat që kjo ngjarje ka sjellë në jetën profesionale dhe familjare. Ai sqaroi se ndodhet ende në shtëpi me rekomandim mjekësh, duke shtyrë seancat dhe angazhimet, ndërsa theksoi se autorët janë identifikuar, por ende jo të ndaluar.
Cakrani lidh klimën e kërcënimeve dhe fyerjeve që ka përjetuar me çështjet e profilit të lartë që mbron, përfshirë edhe mbrojtjen e Ilir Meta.
“Që kur kam marrë çështjen e zotit Meta kam pasur, në rrjetet sociale, edhe kërcënime. Kam pasur fyerje, ofendime të një natyre që unë nuk ua shpjegoj dot juve. Të vijnë mesazhe në rrjetin social, në “Messenger” apo në në WhatsApp nga njerëz të cilët ti nuk i njeh, të cilët shfryjnë mllefin e tyre karshi politikës, personazheve e kështu me radhë”, tha Cakrani, përcjell A2 CNN.
Sipas tij, reagimi i Policia e Shtetit duhet të jetë më i shpejtë dhe më vendimtar, jo për shkak të statusit të viktimës, por për sigurinë e çdo qytetari. Ai shtoi se përveç Metës, ka edhe çështje të tjera që janë shumë publike. “Avokati mbron. Avokati dhe mjeku janë njerëzit që përballen me lloj-lloj personash. Pra mjeku duhet t'i shërojë dhe avokati duhet t'i mbrojë. Avokati bën mbrojtje për çdo njeri i cili i troket dhe bie dakord për ta mbrojtur. Problemi qëndron që të gjithë kjo valvul e shkarkimit të mllefit qytetar, shkarkohet mbi avokatët. Pra bie mbi avokatët dhe avokatët janë ata që duhet të përballojnë të gjithë këtë. Përveç stresit të punës së tyre duhet të përballojnë edhe ofendimet, fyerjet dhe mllefet që kanë qytetarët ndaj karshi njërit apo tjetrit personit i cili është publik”, shtoi ai. (A2 Televizion)