Vijojnë operacionet për goditjen e rasteve të transportimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, pas informacioneve operative, organizuan operacionin policor të koduar “Plloça”, për të ndaluar një rast të tillë.
Në Qafë Plloçë, policia lokalizoi një automjet të dyshuar që transportonte emigrantë të paligjshëm në drejtim të Tiranës. Në momentin që drejtuesi i automjetit konstatoi praninë e Policisë, ai shtoi shpejtësinë dhe, në përpjekje për t’u larguar, përplasi automjetin me barrierën anësore të rrugës. Më pas braktisi mjetin dhe u largua me këmbë, në një zonë të thellë malore, shkruan A2 CNN.
Shërbimet e Policisë arritën të ndalojnë 8 emigrantët nga vendet e treta, të cilët tentuan të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Nga hetimet rezultoi se drejtuesi i mjetit ishte shtetasi K. F., alias K. P., 26 vjeç, banues në Maliq, i cili tashmë është shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. (A2 Televizion)