Lidhja me Rrumin e Shijakut, ish-prokurori Ndoja: E njoh që në 2005, isha avokat, ai kishte plagosur një shtetas

Nga Armand Bajrami
27 Qershor 2025, 11:41 | Kronikë

Lidhja me Rrumin e Shijakut, ish-prokurori Ndoja: E njoh që në 2005,

Ish-prokurori Arjan Ndoja u pyet në Gjykatën e Posaçme për njohjen me Aleksandër Lahon, të njohur si Rrumi i Shijakut, një personazh me precedentë penalë i cili ishte në makinë me të në momentin që iu bë atentat në vitin 2019.

“Aleksandër Lahon e kam njohur në vitin 2005, isha avokat, kishte plagosur një shtetas. Marrëdhënie disavjeçare, janë marrëdhënie shoqërore, nuk janë me status të veçantë. Më kishin ftuar, shkova”, tregoi Ndoja, shkruan A2 CNN.

Ai përshkroi edhe momentin e atentatit. “Ishte një makinë pas nesh, unë i kam parë në video, se me sy jo. Mjeti erdhi nga pas, nisën të shtënat mbrapa pastaj doli në krahun tim dhe ka gjuajtur. Shoferi i ndjerë, rriti shpejtësinë dhe ngadalësoi kohën. Në momentin e ngjarjes nuk e sheh dot kush të gjuan”, tha Ndoja.

I pyetur pse mendon se është goditur prokurori, ai u përgjigj: “Mjeti ishte i imi, ishte lehtësisht i identifikueshëm. Unë kam ekzistencën e faktit, po të donin të gjuanin një nga personat e tjerë në makinë, do e kishin bërë jo me mua. Nuk është e thënë që të kesh konflikt të gjuhesh me armë.

Në makinën time ka pasur 13 predha. Unë nuk jam ankuar ndonjëherë në prokurori, nuk kam kërkuar arsye, nuk kam dhënë asnjë deklaratë. E njoh mirë këtë sistem drejtësie”.

Ndoja hodhi poshtë pretendimet se në makinën e tij u gjet një dosje hetimore, që lidhej me çështjen e falsifikimit të dokumenteve, që sipas avokatit Ilia Ilia ishte vjedhur. “Te makina ime, kanë qenë disa materiale, që m’i kishte dhënë një avokat. Nuk ishte dosje hetimore, ishte gjyqësore. Ishte procedim nën gjykim. Ndaj të pyeta cila dosje hetimore”, tha Ndoja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos