Graeme Biggar, drejtuesi i Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit në Mbretërinë e Bashkuar, mbërriti të enjten në SPAK, ku nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kreun e këtij institucioni, Altin Dumani.
Në thelbin e marrëveshjes së firmosur ishte vendosja në shina institucionale e partneritetit mes dy agjencive në luftën ndaj krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë publikë.
Sipas një reagimi zyrtar të SPAK, përfaqësuesit e të dy institucioneve shprehën besimin se bashkëpunimi i ngushtë midis tyre do të sjellë rezultate konkrete në goditjen e disa prej veprimtarive më të rëndësishme të grupeve kriminale shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shqipëri, kryesisht në trafikun e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e armëve të zjarrit dhe pastrimin e parave.
Sipas SPAK, thellimi i bashkëpunimit do të ndihmojë në përshpejtimin e shkëmbimit të informacionit dhe përvojave më të mira në fushën e drejtësisë penale.
Gjatë qëndrimit të tij në SPAK, Biggar u shoqërua nga kryediplomati britanik në Tiranë, Alastair King Smith.
Gjatë se enjtes, drejtuesi i NCA-së britanike u prit edhe nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ku diskutuan për operacionet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, mbështetjen teknike/ekspertizën për Policinë e Shtetit dhe vetëpastrimin e saj. (A2 Televizion)