Cili institucion gënjen? Gjykata-Prokuroria-Policia, “ping-pongu” i kalimit të fajit

Nga Anesti Barjamemaj
15 Gusht 2024, 15:45 | Kronikë

Ngjarja e 10 gushtit në Pogradec, ku humbi jetën 42-vjeçari Egli Proga, vijon të jetë e mbuluar me mister. Edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga kjo ngjarje e rëndë, sërish asnjë prej institucioneve përgjegjëse për zbulimin e të vërtetës nuk është në gjendje që të japë një version të plotë, të saktë dhe të unifikuar të saj.

Për ditë të tëra pas vdekjes së Egli Progës, opinioni u ngarkua me disa versione për mënyrën dhe arsyet e vdekjes së 42-vjeçarit, të cilat sollën jo pak reagime, portë kemi parasysh edhe deklaratat e familjarëve të viktimës.

E pikërisht nga kjo vëmendje dhe ngarkesë emocionale, pritshmëria e opinionit publik ndaj të gjithë institucioneve, polici, prokurori, gjykatë ishte e lartë. Por brenda 24orëve, nga dorëzimi i dosjes nga policia në prokurori, te ngritja e akuzës nga prokuroria e deri të gjykata duket se më shumë se të qartësonin ngjarjen, shtuan mjegullën e aludimeve dhe spekulimeve. Nga këtu nisi edhe lufta e deklaratave mes tyre për të sqaruar secila pozicionin e vet për të hequr përgjegjësitë nga vetja. Policia e Shtetit ishte institucioni i parë që u mundua të hidhte dritë mbi dyshimet e ngritura nga opinioni publik për krimin e rëndë në Pogradec, por sqarimi i saj shtoi dozat e dyshimit, akuzat dhe paqartësinë. Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një deklaratë për mediat deklaroi se uniformat blu kanë vepruar me korrektesë dhe shpejtësi për zbardhjen e krimit në Pogradec. Sipas tij, nuk ka vend për akuza ndaj uniformave blu.

“Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet ngjarja e rëndë. Ngjarja dhe roli i Policisë së Shtetit në lidhje me të janë të qarta si drita e diellit dhe po e ritregoj bazuar vetëm mbi provat e faktet”, tha Muhamet Rrumbullaku, drejtor i policisë së shtetit.

Pavarësisht këtij qëndrimi nga kreu i uniformave blu, që merr në mbrojtje vartësitë e tij, Prokuroria e Korçës në reagimin e saj hedh akuza drejt punonjësve të policisë se kanë prishur skenën e krimit. Sipas organit të akuzës, një prej oficerëve të policisë që shkoi i pari në vendin e ngjarjes nuk e ka dokumentuar si duhet krimin.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë merr nën hetim shtetasin A.L. i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i Detyrës”. Shtetasi në fjalë, me detyrë Inspektor, Trupë Shërbimi, Patrullë e Përgjithshme rezulton se nuk mori asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së shtetasit E.P. më 10.08.2024 në Pogradec. Lidhur me ngjarjen janë pyetur shtetasit V.Sh., A.B., A.Sh., R.B., L.G., A.M., dhe D.M. Nga deklarimi i shtetasit A.B., rezultoi se në momentin që ka qenë në spital ku ka shoqëruar viktimën, ka dëgjuar duke folur në telefon Inspektorin, A.L., i cili ka komunikuar faktin se një person është i pirë dhe është rrëzuar. A.B. i ka thënë se kushëriri i tij (viktima) ishte goditur, por inspektori i ka thënë ‘ore ik andej’”, reagoi Prokuroria e Korçës.

Këto dyshime, nëse ishte prishur skena e krimit, i kishte ngritur vetë edhe Policia, pasi në datë 12 gusht, drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, urdhëroi inspektim në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë.

“Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të vlerësojë të gjithë tërësinë e veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë”, tha Policia e Korçës.

Tre ditë më vonë, i pyetur për këto hetime Rrumbullaku pohoi se nuk është gjetur askush në shkelje, por çdo oficer kishte vepruar sipas ligjit.

“Akuzat ndaj policisë, janë të pabaza, janë pa fakte dhe pa prova. Nuk ka asnjë vend për akuza ndaj drejtorisë së Policisë Korçë dhe të Komisariatit Pogradec”, tha Rrumbullaku.

Ndryshe nga hetimi policor, Prokuroria e Korçës në qëndrimin e saj i qëndron idesë se janë penguar të dokumentojnë ngjarjen.

“Nga ana e shtetasit A.L., janë konsumuar elementë të veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga nenit 248 i Kodit Penal, për shkak se ky shtetas me detyrë Inspektor, Trupë shërbimi, Patrullë e Përgjithshme, në shkelje të detyrave të tij funksionale, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së viktimës edhe pse ky shkak i është bërë prezent nga dëshmitari okular i ngjarjes shtetasi A.B. Në këto rrethana, shtetasi i sipërpërmendur u mor në përgjegjësi penale për veprën penale të dyshuar të kryer prej tij, për shkak se si pasojë e veprimeve të tij nuk është bërë i mundur dokumentimi real i ngjarjes së ndodhur”, tha Prokuroria.

 

Ndërkohë, gjykata e qytetit lindor kërkon hetim të plotë të ngjarjes dhe nxjerrjen para përgjegjësisë së  të gjithë autorëve, si vrasësit të 42-vjeçarit dhe të tjerëve nëse është munduar fshehja e krimit.

“Përcaktimi i plotë dhe saktë i rrethanave të faktit dhe përgjegjësisë penale të secilit person të përfshirë, i takon vijimit të hetimeve”, tha Gjykata e Korçës.

E teksa faji për dokumentimin e ngjarjes mbetet ende i paqartë, dy institucionet përplasen edhe për faktin nëse autori u arrestua dhe u vetëdorëzua.

“Pasi u bë identifikimi i shtetasit D.M., si autor i dyshuar që dëmtoi shtetasin E. P., u kryen veprime operative dhe teknike të tjera me qëllim gjetjen e vendndodhjes së tij, deri në momentin që ai u paraqit vetë pranë Komisariatit të Policisë Pogradec”, tha Prokuroria.

“Shtetasi D. M., 29 vjeç, pas konfliktit është larguar nga vendi i ngjarjes, por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”, u shpreh Muhamet Rrumbullaku, drejtor i Policisë së Shtetit.

Qasjes së Prokurorisë së Korçës për ngjarjes, Policia e Shtetit në një deklaratë të radhës këtë të enjte i quan pretendime akuzat e hedhura drejt saj.

“Sqarojmë opinionin publik se, nuk ka asnjë lidhje mes punonjësit të Patrullës së Përgjithshme që është vënë nën akuzë dhe hetimit të ngjarjes, për të cilën Policia e Shtetit ka kapur, arrestuar dhe dërguar para drejtësisë autorin e dyshuar të ngjarjes”, reagoi policia.

Mes zhurmës institucionale u fut edhe kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili mori në mbrojtje jo vetëm policinë por edhe urgjencën. Në dy reagime, Rama pohon se uniformat blu dhe bluzat e bardha nuk kanë bërë asnjë gabim në punën e tyre dhe çdo akuzë e hedhur është e pabazë. Por pavarësisht akuzave, sqarimeve, kundër sqarimeve e polemikave që vazhdojnë ende, edhe gati një javë pas ngjarjes, ne nuk e dimë ende se çfarë ndodhi realisht atë pasdite në Pogradec. Deri tani, ata që kanë për detyrë të zbardhin ngjarjen, janë mundur të sqarojnë vetëm përgjegjësitë e tyre mbi ngjarjen, porende jo të vërtetën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos