Debati në gjykatë, Dumani tregon vrasjen e 60-vjeçares, "përplaset" me Qolin

Nga Armand Bajrami
4 Mars 2025, 18:31 | Kronikë

Në një seancë plot tension dhe përplasje mes palëve, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, rrëfeu në Gjykatën e Posaçme të martën rrethanat e vrasjes së Fatmira Dedës, shtatorin e vitit 2013 në Durrës. Sipas Dumanit, për vrasjen i ishin premtuar 40 mijë euro nga i pandehuri Festim Qoli, 10 nga të cilat i kishte marrë paradhënie prej tij dhe 30 të tjera ia kishte dhënë i pandehuri Petrit Qoli.

I penduari i “Plumbit të artë” tha se 60-vjeçarja bënte përgjegjës vëllezërit Qoli për vrasjen e të birit, Ervis Deda, se shkonte e ju hakërrehej tek biznesi i tyre dhe kërkonte drejtësi në institucionet shtetërore.

I penduari tha se bashkë me Talo Çelën dhe Dorian Shkozën, kishin mbajtur përditë në vëzhgim 60 vjeçaren. Plani fillestar, sipas tij, kishte qenë për ta vrarë në varreza, por më pas vendosën që ta vrisnin tek garazhi i saj.

Rrëfimi i të penduarit dhe përfshija në krim e të pandehurve Agron, Petrit e Festin Qoli, që mohuan lidhje me vrasjen e Fatmira Dedës, ngjalli reagime të forta në sallë.  

“Ky (Petrit Qoli) ka ndërtuar xhami, por me hyp majë minares është rrezik se bie poshtë. Ky ka ndihmuar njerëz. Po ka ndihmuar edhe një turk në 2014 të shkonte në fund të detit, por s’ia di emrin atij turkut. Fatmira Deda që ditën 1 kur u vra Ervis Deda ose Losha, ajo bënte përgjegjës të dy vëllezrit Petrit dhe Festim Qoli për vrasjen e djalit të saj”, tha Nuredin Dumani.

“Pse nuk i tregon prokurorit që ke lindur me birë në zemër. Ka lind me difekt. Verifikojini e nderuar trup gjykuese, është operuar në Francë nga zemra. Ky e ka babën burrë me vlera. Fati i tij i keq. Ti je i ndyrë, për ca topa letre ke vra njerëz”, deklaroi Petrit Qoli.

Me tej i pandehuri Qoli ironizoi në drejtin të prokurorëve, duke thënë se kur ka dëshmuar para tyre, Dumani duhet të ketë qenë konfuz dhe jo në rregull, si edhe i përmendi të penduarit familjarë të tij, motrën dhe të atin. Në seancën e radhës i penduari Dumani do të vijojë t’i përgjigjet pyetjeve të avokatëve dhe të pandehurve në proces.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos