
Një ngjarje e rëndë tronditi sot fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari Nertil Buzi dyshohet se vrau ish-vjehrrin Kosta Plaka, plagosi ish-vjehrrën Belere Plaka, dhe mori peng nën kërcënimin e armës ish-bashkëshorten, duke u larguar nga vendngjarja.
Duke folur për gazetarin e A2CNN, Çaku Tafa, nipi i viktimës thekson se kemi të bëjmë me një vrasje të paralajmëruar.
Ai thotë se autori e kishte kërcënuar edhe më herët ish-bashkëshorten me armë, por pasi arrestohej nga policia, lihej sërish i lirë nga Prokuroria.
“Dëgjova krisma në orën 05:00 të mëngjesit, ishim të gjithë në gjumë. U çova nga gjumi dola direkt në ballkon në kat të dytë dhe pashë…u krijua zhurmë të shtëpia e xhaxhait. Pastaj dëgjova krismën e dytë, kishte zhurmë, i bija policisë, policia s’e hapte telefonin. Kjo ngjarje është e paralajmëruar disa herë. Është kapur disa herë ky person, policia kap, prokuroria e nxjerr. Viktima është Kosta Plaka, 57 vjeç. Nusja e xhaxhait është në spital. Ka rrëmbyer edhe vajzën, 23-24 vjeç. Konfliktet kanë qenë të paralajmëruara. Kishin probleme si çift, janë ndarë dhe erdhi kjo situatë sot. E ka kërcënuar me armë vajzën në Tiranë, e ka nxjerr policia pas një muaj”, tha ai.
(A2 Televizion)