Tritoli në pjesën e jashtme të lokalit të sapo hapur “The Boss” në Lungomare në Vlorë është vendosur nga një person i maskuar. Janë këto detajet më të fundit të raportuara nga gazetari i A2 CNN Edi Ruçi, sipas të cilit, autori është filmuar nga kamerat e sigurisë, por i ka humbur policisë pasi u largua drejt zonës së banuar. Ende nuk dihen motivet, por policia po kontrollon edhe kamerat e sigurisë.
“Policia e Vlorës ka konfirmuar që një sasi tritoli është vendosur në pjesën e jashtme verandës së lokalit. Tritoli është vendosur rreth orës 6 të mëngjesit në lokalin The Boss. Lokali është në pronësi të një femre por më parë ka qenë në pronësi të Bedar Bircaj, i cili u vra në atentat në mal të 2021. Lokali ka qenë i mbyllur dhe është hapur përgjatë këtij sezoni veror. Ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje, por ka qenë një person i maskuar, i cili duke përfituar nga errësira në zonë ka vendosur një sasi tritoli. Personi i maskuar është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe policia konfrimon se është larguar në një zonë të banuar dhe u ka humbur gjurmëve të policisë. Policia po sekuestron edhe kamera të tjera të sigurisë në zonë”, raportoi gazetari i A2.
Mësohet se në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe njësia antieksploziv, e cila po kontrollon në brendësi të lokalit nëse ka sasi eksplozivi ende pa shpërthyer.
Nga të dhënat paraprake mësohet se nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale. Lokali është në pronësi të Resmie Birçajt, nënës së Bledar Birçajt i cili u ekzekutua në 10 Maj 2021 në Vlorë. (A2 Televizion)