Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur të bojkotojë për 3 ditë seancat gjyqësore, duke filluar nga nesër, si shenjë proteste ndaj dhunës së ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua me sende të forta nga 4 persona, disa ditë më parë, dhe prej asaj kohe ndodhet në koma.
Sot, Dhoma Kombëtare e Avokatisë mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme, ku mori këtë vendim.
Avokati i Sali Berishës u dhunua, mëngjesin e së mërkurës së 29 majit, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ai u dërgua me urgjencë në spital, në gjendje të rënduar. Një nga autorët e sulmit ndaj tij u vetëdorëzua, ndërsa u shpallën në kërkim 3 të tjerët.
Dy ditë më parë, gjykata e Tiranës la në burg Dritan Nanon, i cili u arrestua si organizator i dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, si edhe Dorian Alian, një nga agresorët e sulmit ndaj avokatit.
Edhe për 3 agresorët e tjerë që janë në kërkim nga policia, Drivaldo Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, është caktuar masa "arrest me burg" në mungesë. (A2 Televizion)