Shifrat e larta të rasteve të dhunës në familje reflektohen edhe në çështjet që janë trajtuar nga Gjykata e Elbasanit, në dy vitet e fundit.
Në total, gjatë kësaj periudhe kohë, Gjykata e Elbasanit ka trajtuar rreth 500 çështje që kanë pasur si objekt dhunën në familje dhe ku mbi 90 për qind të rasteve, objekte të dhunës kanë qenë me bazë gjinore dhe kanë qenë femra.
Por ndërsa ky fenomen vijon të jetë shqetësues për shoqërinë, gjykata kërkon përfshirjen edhe të institucioneve të tjera lokale, në gjykimin e këtyre çështjeve, siç është Bashkia e Elbasanit.
Gjyqtarët kanë konstatuar jo në pak raste që denoncimet për dhunë në familje dhe urdhrat e mbrojtjes janë kërkuar në mënyrë fiktive për të përfituar ndihmën ekonomike që jepet në këto raste nga Bashkitë.
Ndërkohë, Gjykata e Elbasanit, pavarësisht ngarkesës dhe mungesës së gjyqtarëve, çështjet e dhunës në familje i ka trajtuar me prioritet duke respektuar maksimalisht afatet ligjore të lëshimit të urdhrave të mbrojtjes, si për të rriturit ashtu edhe për minorenët. (A2 Televizion)