
Gjykata e Posaçme ka shtyrë për më 16 dhjetor, ora 13:30 seancën gjyqësore ndaj ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj, në procesin ndaj tij për dosjen "Buka sha".
Shkak i shtyrjes u bë mungesa e prokurorit Elvin Gokaj, i cili ishte i angazhuar në një proces gjyqësor tjetër.
Gjykimi në mungesë ndaj Ahmetajt për dosjen e njohur si “Buka”, ku është marrë i pandehur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, nisi në GJKKO më 17 nëntor.
Në këtë seancë, Ahmetaj u përfaqësua nga avokati Henrik Ligori. Procedimi në fjalë është regjistruar në 2022, pas kallëzimit të një qytetari, mbi procedurën e privatizimit të shoqërisë “Buka Sha”.
Sipas SPAK, Ahmetaj ka firmosur një urdhër për privatizimin e firmës, edhe pse kishte disa vendime gjykate që e ndalonin këtë gjë. SPAK kërkoi po ashtu të pyeten si dëshmitarë 14 persona, ndër to dhe ish-ministri Shkëlqim Cani.
Gjykata në seancën e pare lexoi shkresën e Interpolit, sipas të cilit, Ahmetaj ndodhet në Zvicër, vend ku Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar kërkesë për ekstradimin e tij. Por Interpoli shpjegoi se nuk ka dijeni mbi ecurinë e procedurave dhe vendndodhjen e tij më saktë. (A2 Televizion)