Dyshohet se u helmuan vdes 3-vjeçari në Shkodër, në gjendje kritike e motra

Nga Senad Nikshiqi
24 Shkurt 2025, 19:04 | Kronikë

Një fëmijë vetëm tre vjeç nga fshati Mjedë i Vaut të Dejës ka humbur jetën tri ditë më parë, ndërsa motra e tij shtatë vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në shërbimin e Pediatrisë në Tiranë. Shkaqet që i morën jetën të miturit nuk dihen ende.

Burime nga Spitali i Pediatrisë në Tiranë përjashtojnë mundësinë që fëmijët të jenë prekur nga meningiti, por ngrenë dyshime se mund të jenë helmuar nga një ilaç kundër brejtësve që prindërit e tyre kanë përdorur për spërkatjen e një magazine.

Ndërkohë në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se fëmijët janë paraqitur të premten e 21 shkurtit në pediatrinë e Shkodrës me shenja viroze dhe pas mjekimit janë larguar në shtëpi.

Por tjetër informacion përcjellin burime në Spitalin e Shkodrës të cilët thanë se trevjeçari është paraqitur me insuficencë kardiake ndërsa nga ana e mjekëve janë ndjekur të gjitha protokollet. Sipas tyre prindërve që në ditën e parë u është kërkuar që trevjeçarin ta lënë në observacion por ata kanë këmbëngulur që ta marrin në shtëpi.

Një ditë më pas ata kanë shkuar sërish në spital me fëmijët në gjendje më të rëndë shëndetësore. Pavarësisht angazhimit të mjekëve 3-vjeçari nuk ka mundur të jetojë.

E motra është dërguar me urgjencë në Pediatrinë e Tiranës dhe mësohet se ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën.

Analizat toksikologjike pritet të hedhin dritë mbi shkaqet që i morën jetën trevjeçarit, ndërsa për rastin hetime ka nisur edhe Prokuroria e Shkodrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos