Një ngjarje e rëndë është shënuar pak minuta më parë në qytetin e Korçës. Sipas të dhënave paraprake një person ka dalë në dritaren e banesës dhe ka shtënë me armë në ajër.
Personi që ka qëlluar me armë është identifikuar si Edmond Naska, i cili jeton i vetëm në një pallat që ndodhet në lagjen numër 16 të qytetit juglindor.
Ai ka qëlluar tre herë në ajër dhe është strehuar më pas brenda në banesën që ndodhet në katin e parë, duke kërcënuar se do të hapë zjarr.
Policia është në vendngjarje dhe ka vendosur perimetrin e sigurisë si dhe ka evakuuar banorët e zonës.
Uniformat Blu po punojnë për neutralizimin e personit të armatosur duke negociuar për dorëzimin e tij, ndërsa nuk dihet ende nëse në banesë me autorin ka edhe njerëz të tjerë.
"Sot, rreth orës 10:20, në lagjen nr. 16, dyshohet se shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme mendore, ka qëlluar me armë zjarri nga ballkoni i banesës së tij (në katin e parë të një pallati). Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të lënduar. Në drejtim të vendit të ngjarjes po shkojnë shërbimet e Repartit Special RENEA, për të ndërhyrë për neutralizimin e shtetasit E. N., i cili ka mbyllur derën e banesës. Ndërkohë, shërbimet e Policisë, me masa sigurie për jetën e tyre, po mbajnë të rrethuar banesën. Aktualisht nuk ka asnjë rrezik për jetën e banorëve", njofton policia. (A2 Televizion)