Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit në Kuvend është përgjigjur edhe për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Sipas Dumanit kjo është një çështje shumë komplekse dhe shumë e vështirë për t’u zbardhur pasi është një krim intelektual.
Ndërkohë sa i përket dosjes së ashtuquajtur dosjes “5D”, kreu i SPAK pohoi se hetimet po vijojnë ende. Sa i përket çështjet së mossekuestrimit të aseteve të kompanisë, Dumani shtoi se prokuroria vepron sipas ligjeve.
“Gjatë vitit 2023 ka pasur ecuri, çështjet kanë filluar të evadohen. Tani, hetimi i çështjeve nuk është aq i thjeshtë sa prezantohet. Hetimi është i vështirë, sidomos kur vjen puna te çështjet me natyrë korruptive. Këto janë krimet më të vështira dhe krimet në detyrë sepse është një krim intelektual dhe intelektuali para se të bëjë krimin përpiqet sesi të fshehë gjurmët e krimit.
Duhet ta dini, ju keni vetëm një përqindje shumë të vogël se çfarë bëhet me hetimet, ju dhe opinioni publik, por ato janë shumë më të gjera dhe shumë më te thella nga ajo që thoni ju. Sa i takon sekuestrimit, është bërë sekuestro preventive të të gjitha pasurive 5D, por edhe të pasurive të dy personave të cilët janë nën hetim. Vlera e tyre shkon rreth 3 milionë euro. Nga informacioni që unë kam, nuk është shitur asnjë pasur. Është e thjeshtë ta thuash që faktet janë të qarta, faktet janë të ditura dhe sekuestroje. Jo, jo, ka procedura. Këto janë ligjet që kemi pranuar”, u shpreh Dumani në Kuvend. (A2 Televizion)