EMRI/ Tentoi të vriste dy efektivë policie në Vlorë, ekstradohet nga Belgjika 39-vjeçari

Nga A2 CNN
29 Gusht 2024, 15:28 | Kronikë

Këtë të enjte në aeroportin e Rinasit forcat e policisë kanë pritur një 39-vjeçar, i cili është ekstraduar nga Belgjika, aty ku prej dy vitesh fshihej për t’i shpëtuar drejtësisë në Shqipëri.

“Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët në Belgjikë, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, D. H. alias T. H., 39 vjeç. Këtij shtetasi, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’.”

Personi i ekstraduar është Diego Haxhiraj (alias Teki Hanaj), i cili dy vite më parë tentoi të vriste me armë zjarri dy efektivë policie në qytetin e Vlorës, raporton A2. 39-vjeçari akuzohet se ka qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin dy punonjësit e policisë, Angjelo Breshani dhe Nako Mehmetaj.

“Mbrëmjen e datës 02.09.2022, në qytetin e Vlorës, dyshohet se shtetasi D. H. alias T. H., në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të 2 punonjësve të Policisë.”

Asokohe autorët ia dolën që të largoheshin me shpejtësi nga vendngjarja me një automjet, i cili u gjet më pas dhe u sekuestrua nga policia.

Diego Haxhiraj është një emër i njohur për policinë në Vlorë, pasi në janar të vitit 2022 vetëm pak ditë pasi ishte kthyer Holanda, ai mbeti i plagosur pasi në drejtim të tij u qëllua me breshëri kallashnikovi në lagjen “Pavarësia” të qytetit bregdetar, shkruan A2.

“Nuk njoha njeri, dhe nuk kam konflikt me askënd”, tha asokohe Haxhiraj për hetuesit e ngjarjes pasi i shpëtoi fatmirësisht atentatit, me vetëm një plumb në dorë.

Asokohe 36 vjeç, Haxhiraj ishte duke ecur në rrugë poshtë pallatit të tij, por pa disa persona që po e prisnin dhe u largua me vrap. Autorët nuk nguruan të qëllonin në drejtim të tij dhe pas breshërisë së kallashnikovit u larguan me një makinë tip ‘Audi Q7’. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos