Krimet zgjedhore, 44 kallëzime në prokuroritë e rretheve, hetohen 20 prej tyre

Nga A2 CNN
7 Maj 2025, 16:41 | Kronikë

Në prokuroritë e rretheve kanë mbërritur 44 kallëzime për krime zgjedhore, të bëra nga përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, për të paktën në 20 prej tyre janë gjetur elementë të veprës penale dhe janë raste nën hetim.

Prokuroria që mban numrin më të lartë të kallëzimeve është ajo e Dibrës me 9 të tilla. Nga 9 rastet janë regjistruar me procedim penal vetëm një prej tyre.

Pasohet nga Tirana me 7 kallëzime por që në asnjërën prej tyre nuk është regjistruar procedim penal. Në Fier janë bërë 5 kallëzime dhe për të 5 rastet ka nisur hetim. Nga 5 kallëzime janë depozituar edhe në prokurorinë e Shkodrës e në Elbasan, e më pak në qarqet e tjera.

Veprat penale për të cilat janë referuar kallëzime në prokurorie që lidhen me krimet zgjedhore, janë bërë për “Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese”, “Shkelja e fshehtësisë së votimit”, “Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve”, si dhe “Kanosja e zgjedhësit”.

19 kallëzime janë bërë nga policia gjyqësore, 9 raste nga SPAK, 6 nga subjekte politike, 8 raste janë hetime të nisura kryesisht dhe 2 kallëzime të bëra nga qytetarët.

Ndërkohë, të martën Prokuroria e Posaçme njoftoi se nga 115 kallëzime të bëra për krimet zgjedhore janë regjistruar 35 procedime penale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos