Hetimet e nisura për vrasjen e Renato Hoxhës disa ditë më parë në qytetin e Vlorës duket se kanë zbardhur një pjesë të mirë të dinamikës dhe motiveve të këtij ekzekutimi tipik mafioz.
Pas arrestimit të Eris Mehmetajt, i cili dyshohet se ka ndihmuar me mjetin e tij për largimin e autorit nga vendngjarja, grupi i hetimit ka dyshime se autori i kësaj vrasje është një shtetas i huaj, i cili mendohet se ka dalë nga vendi jonë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Qafë Botës në drejtim të Greqisë.
Referuar të dhënave të mbledhura, dyshimet janë se autori mund të jetë me kombësi rumune ose greke. Për personin e dyshuar nga Rumania, policia shprehet se ka precedent të mëparshëm në Rumani, ndërsa për shtetasin grek nuk jepen detaje.
Gjithashtu, ekspertiza balistike ka konfirmuar se në vrasjen e Renato Hoxhës janë përdorur dy pistoleta të ndryshme referuar gëzhojave që janë gjetur në vendngjarje.
Dyshimet kryesore shkojnë se vrasja e të ndjerit Hoxha mund të jetë porositur nga Dubai, pasi mendohet se viktima mund të ketë luajtur rolin e informatorit për grupet kriminale. (A2 Televizion)