Euro të falsifikuara me postë, 4 të arrestuar në Tiranë

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2025, 10:39 | Kronikë
Euro të falsifikuara me postë, 4 të arrestuar në Tiranë

Policia e Tiranës ka goditur një rrjet të strukturuar që dyshohet se merrej me shpërndarjen e kartëmonedhave të falsifikuara në treg. Operacioni i koduar “Wrong Delivery”, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë, ka çuar në arrestimin e katër personave dhe shpalljen në kërkim të një tjetri.

Në pranga ranë shtetasit A. B., 19 vjeç, banues në Shkodër; një 17-vjeçar nga Tirana; S. L., 26 vjeç, dhe E. A., 19 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ndërkohë, 19-vjeçari A. P., nga Kruja, është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Gjatë operacionit, policia kapi në flagrancë S. L., E. A. dhe të miturin, në momentin që tentonin të tërhiqnin 11 pako në një zyrë postare në Tiranë. Pako që, sipas hetimeve, përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara. Dërgues i tyre ishte A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të maskuar aktivitetin kriminal dhe shpërndarjen e monedhave të falsifikuara.

Materialet i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos