
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka përshëndetur aktin e të riut shqiptar Elton Zefi, i cili pak ditë më parë shpëtoi një të moshuar, makina e të cilit ra në lumë dhe ai rrezikoi të mbytej.
Shefja e Qeverisë Italiane shkroi në Instagram se jeta e të moshuarit arriti të shpëtohej falë guximit dhe altruizmit të të riut shqiptar.
“Një jetë e shpëtuar fal guximit dhe altruizmit të atyre që zgjodhën të ndërhyjnë. Heronj”, shkruan Meloni.
Elton Zefi, 32 vjeç, nuk hezitoi as për një sekondë kur pa një makinë të zhytet në ujërat e kanalit Battaglia në Padova. Ai u hodh menjëherë në ujë dhe arriti t’i shpëtojë jetën një biznesmeni 85-vjeçar, i cili rrezikonte të mbytej brenda automjetit të tij.
Ngjarja ndodhi të enjten, më 20 nëntor, pak pas orës 11:00. Giuseppe Salvalajo, një sipërmarrës i njohur padovan dhe themelues i një kompanie të specializuar në restaurime arkitektonike, humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi në kanal për arsye ende të paqarta. Automjeti nisi të fundosej me shpejtësi, ndërsa Salvalajo mbeti i bllokuar brenda, në gjendje shoku.
Në atë çast, Elton Zefi, i cili atë ditë festonte ditëlindjen, pa skenën dramatike dhe u hodh menjëherë në ujë, bashkë me një tjetër burrë që ndodhej aty pranë. Ata tentuan fillimisht të thyenin xhamat e makinës, por pa sukses.
Zefi tregoi më pas se kishte arritur të dallonte dorën e të moshuarit nga sedilja e pasme, ku xhami kishte mbetur i hapur. Aty ai kuptoi se kishte shpresë. Pas disa përpjekjesh, i lodhur, me këmbët e mpira nga të ftohtit dhe duke rrezikuar të mbytej edhe vetë, ai vendosi të bëjë dhe një përpjekje të fundit.
Dhe ajo përpjekje u shpërblye. 85-vjeçari arriti të dilte nga makina dhe të nxirrej në breg. Pak çaste më vonë mbërritën edhe ekipet e ndihmës së shpejtë, ndërsa gjithë momenti u regjistrua në një video që qarkulloi me shpejtësi në rrjetet sociale.
Burri i moshuar u transportua në spital, ku mori kujdes mjekësor dhe është tashmë jashtë rrezikut për jetën. (A2 Televizion)
