
Katër persona janë shpallur në kërkim pasi policia ka arritur të identifikojë autorët e dyshuar të atentatit në Rilë të Lezhës, ku objektiv mendohet të ketë qenë Merando Nikulaj. Nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur rëndë 30-vjeçari Sokol Daci, pronari i berberhanes ku ndodhi sulmi, ndërsa hetimet po thellohen për rrethanat e ngjarjes dhe rolin e një efektivi policie të pranishëm në vendngjarje.
Policia ka mundur të identifikojë autorët e atentatit në Rile të Lezhë ku mbeti i plagosur rëndë Sokol Daci. Sipas hetimeve paraprake mësohet se shenjestër e autorëve kishte qenë Merando Nikulaj. Plumbat kapën 30 vjeçarin Daci, pronarin e berberhanes ku ndodhej edhe Nikulaj.
Si rrjedhojë e veprimeve hetimore, policia bën me dije se katër persona janë shpallur në kërkim, mes tyre shënjestra e atentatit dhe tre autorët që janë pjesë fisit Ndoka, shkruan A2.
Mësohet se shkak i konflikti ndërmjet autorëve dhe shënjestrës kishte qenë një përplasje në verën e vitit 2025 në zonën e Shëngjinit, ndërmjet Merando Nikulajt dhe tre autorëve të ngjarjes.
Nga rindërtimi i skenës së krimit, dyshohet se autorët i ishin afruar berberhanes me dy automjete dhe pasi kanë zbritur, dy prej tyre kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të Merando Nikulajt.
Brenda biznesit ka qenë edhe një efektiv policie, i cili është kundërpërgjigjur autorëve, dhe që me ndërhyrjen e tij mesa duket ka evituar që atentati të kishte viktima. Por pas hetimeve, efektivi është shoqëruar me urdhër të prokurorisë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndonëse në deponimin e parë ishte shprehur se gjendej rastësisht në vendngjarje.
Ndërkohë, berberi 30-vjeçar Sokol Daci ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi u qëllua me katër plumba në shpatull bark dhe këmbë. Krahas Dacit, i plagosur mendohet të jetë edhe shënjestra Merando Nikulaj, pasi në skenën e krimit janë gjetur gjurmë gjaku të cilat po i nënshtrohen analizave të ADN-së. (A2 Televizion)