Gjykata e Posaçme i dha fund shqyrtimit paraprak të dosjes penale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe 29 të bashkë të pandehurve të tij. Vendimi për kalimin ose jo në gjykim të çështjes pritet të shpallet në seancën e 9 shkurtit. Por deri atëherë, situata mund të ndryshojë, për shkak se në seancën e së hënës kryebashkiaku kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda.
Kërkesa u bë verbalisht në sallën e gjyqit, por për t’u marrë në shqyrtim do të duhet të depozitohet me shkrim në kryesekretarinë e gjykatës. Seanca u zhvillua mes debatesh të forta të kryebashkiakut Veliaj.
Para se të braktiste sallën e gjyqit, ende pa mbaruar seanca, Veliaj kërkoi përjashtim edhe të avokates së caktuar kryesisht për të. Burime brenda seancës me dyer të mbyllura bënë me dije se Veliaj ka pretenduar se avokatja Valentina Teodoresku nuk i garantonte mbrojtje efektive dhe se po i mohohej e drejta e një procesi të rregullt ligjor.
Sipas tij, avokatja nuk njihte dosjen dhe se ai vetë nuk është njohur me të gjitha aktet e saj, pasi nuk i janë vënë në dispozicion. Avokatja kryesisht kërkoi më shumë kohë. Ajo i tha gjykatës se e kishte takuar vetëm një herë në paraburgimin e Durrësit Veliajn, për vetëm 1 orë, pasi aq mund ta priste taksia. Me gjithë kundërshtitë e kryebashkiakut gjykata e ka konsideruar si mungesë vullneti paraqitjen e parashtrimeve prej tij.
Më tej, gjyqtarja ka ftuar palët në konkluzionet përfundimtare, në përfundim të të cilave, vendosi të deklarojë të përfunduar shqyrtimit dhe të tërhiqet për vendim. (A2 Televizion)