Atentati në Lezhë, policia shpall në kërkim tre anëtarë të fisit Ndoka

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2026, 21:49 | Kronikë

Atentati në Lezhë, policia shpall në kërkim tre

Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim katër persona në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e 1 shkurtit 2026 në fshatin Rrilë të Njësisë Administrative Shënkoll, ku mbeti i plagosur me armë zjarri pronari i berberhane, 30-vjeçari Sokol Daci.

A2 CNN raporton se personat e shpallur në kërkim janë; Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, të tre nga fisi Ndoka. Ndërsa personi tjetër i shpallur në kërkim është Merando Nikulaj, i cili ishte brenda në berberhane.

Policia bën me dije se për shkak të hetimeve në vijim, nuk mund të jepen të dhëna të tjera, ndërsa puna vijon për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Shënjestra e atentatit të ndodhur të dielën në mbrëmje në Rrilë të Lezhës, sipas policisë, ka qenë 21-vjeçari Merando Nikulaj. Por plumbat nuk arritën objektivin, por të zotin e berbberhanes. Si pasojë u plagos rëndë pronari i biznesit, 30-vjeçari Sokol Daci, ndërsa dyshohet se një plumb mund të ketë lënduar edhe vetë Nikulajn. Ndërhyrja e një efektivi policie që ndodhej rastësisht në ambient ka parandaluar një tragjedi më të madhe.

Njoftimi i Policisë Lezhë

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur në Rrilë.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 01.02.2026, rreth orës 21:00, në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, bashkia Lezhë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Grupi i Posaçëm Hetimor i DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar intensivisht hetimet me qëllim zbardhjen e ngjarjes, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në vijim të veprimeve u ekzekutua urdhri i ndalimit, i lëshuar nga Prokurori, për shtetasin B. K., 24 vjeç, banues në fshatin Dragushë, Njësia Administrative Dajç, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, ka rezultuar se si të dyshuar në këtë ngjarje janë përfshirë shtetasit G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të cilët janë shpallur në kërkim.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Për shkak të hetimeve, nuk jepen të dhëna të tjera.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, në ngarkim të shtetasve G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të dyshuar për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe në ngarkim të shtetasit B. K., i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos