Një britanik në Kinë. Bëhet fjalë për kryeministrin Keir Starmer, që ka nisur një vizitë 3 ditore në shtetin aziatik, e para e një shefi qeveri të Mbretërisë së Bashkuar që prej vitit 2018. Starmer, i cili udhëtoi me rreth 60 biznesmenë dhe liderë kulturorë, do të takohet me presidentin Xi Jinping, me të cilin synon që gjejë gjuhën e përbashkët në fushën e tregtisë, investimeve dhe sigurisë kombëtare, shkruan A2.
“Thonë që 8 ditë janë shumë në politikë; provoni 8 vite, pasi aq kanë kaluar që prej herës së fundit kur një kryeministër britanik shkeli tokën kineze. Prandaj ju në këtë delegacion po shkruani historinë. Jeni pjesë e ndryshimit që do të sjellim dhe që përkon me gjithçka që keni bërë në qeveri, veçanërisht në arenën ndërkombëtare, sepse duam të shfrytëzojmë mundësitë, të ndërtojmë marrëdhënie, të kemi vetëbesim në aspektin global dhe gjithmonë të fokusohemi në interesin tonë kombëtar. Prandaj është në interesin tonë të angazhohemi me Kinën. Është ekonomia e dytë më e madhe në botë”, tha Starmer.
Kryeministri Starmer premtoi se ky udhëtim në Kinë do të sjellë përfitime të mëdha për britanikët. Sa i përket çështjeve për të drejtat e njeriut, shefi i qeverisë së Londrës nënvizoi se gjithmonë i ka ngritur shqetësimet e tij, por nuk pranoi që të hynte në detaje. Vizita shënon një kthesë në marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Kinës, pas vitesh përplasjesh lidhur me politikat e Pekinit dhe shtypjes së lirisë politike në Hong Kong, mbështetjes për Rusinë në luftën e Ukrainës dhe dyshimet e shërbimit sekret të Londrës se Kina spiunon rregullisht politikanët dhe zyrtarët britanikë.
Për Kinën, kjo është një mundësi për të portretizuar veten si një partner i besueshëm, duke përfituar nga grindjet në kampin perëndimor me superfuqinë globale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas vizitës në Kinë, Starmer do të udhëtojë për në Japoni. (A2 Televizion)