
Katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) janë shkarkuar nga detyra pas shkeljeve të konstatuara në procedurën e inspektimit të një ngarkese prej 27 tonësh me mish derri me origjinë nga Brazili, të importuar nga subjekti “KING-MIT”.
Vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm, pas shqyrtimit të dokumentacionit, vlerësimit të përgjegjësive individuale dhe zhvillimit të seancave dëgjimore.
Sipas njoftimit zyrtar, njëri prej inspektorëve, me inicialet L.B., i cili ushtronte detyrën në Pikën e Kalimit Kufitar pranë AKU-së në Durrës, është larguar nga detyra për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit të ngarkesës, të stabilimentit të autorizuar për eksport dhe të vërtetësisë së certifikatës.
Ndërsa tre inspektorë të tjerë, E.T., K.K. dhe M.G., pranë Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier, janë shkarkuar për mosverifikimin e plotë të dokumentacionit, mosidentifikimin e të gjitha shkeljeve dhe vendosjen e një mase administrative jo proporcionale me natyrën dhe rëndësinë e tyre.
Më herët kryeinspektori Dashnor Sula ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj kujtdo që shkel ligjin. (A2 Televizion)