Gjykata e Posaçme shpall vendimin përfundimtar ndaj zyrtarëve të Bashkisë Tiranë, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, fraksion i dosjes 5D.
Debora Keçi dënohet me 1 vit burg, me gjykim të shkurtuar 8 muaj burg. Vendimi pezullohet dhe zëvendësohet me shërbim prove 16 muaj, heqje e masës së sigurimit detyrim paraqitje. Gjithashtu i hiqet e drejta të mbajë funksione publike për 5 vite.
Teuta Guri dënohet me 9 muaj burg, përfundimisht 6 muaj. Vendimi pezullohet dhe zëvendësohet me punë në interes publik, pa shpërblim, 60 orë, brenda 6 muajsh.
Renaldo Gjerasi dënohet me 9 muaj burgim, përfundimisht 6 muaj burg. Pezullim i dënimit me burg dhe zëvendësim me 60 orë punë në interes publik brenda 6 muajsh.
Jetjon Mera dënohet me 9 muaj burg, përfundimisht me 6 muaj burgim, pezullim i dënimit dhe zëvendësim me 60 orë punë në interes publik, brenda 6 muajsh.
Dënimi është në përputhje me pretencën e Prokurorisë së Posaçme, dhënë në prill të këtij viti. Gjatë dhënies së saj, prokurori Klodian Braho tha se është marrë parasysh vlera e vogël e prokurimit, 3 milion lekë, ku ishte përfitues i kontratës publike Shoqëria “5D” për dy tendera, njëri i “Tirana parking” dhe tjetri për rikonstruksionin e një palestre.
Çfarë është Dosja 5D?
Dosja “5D” përfshin një hetim të gjerë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për korrupsion dhe abuzim me tendera publikë.
Të pandehurit kryesorë janë ish-drejtori i Ujësjellësit të Tiranës, Redi Molla, dhe ish-kreu i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Mariglen Qato, të arrestuar në mars 2024 dhe ndodhen në paraburgim me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).
Ata përballen me akuza për “korrupsion pasiv”, “shkelje të barazisë në tendera”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim të pasurisë”.
Sipas SPAK, Molla dhe Qato janë pronarë “de facto” të kësaj kompanie, e cila ka fituar 11 tendera nga Bashkia e Tiranës gjatë periudhës 2016–2022, në shkelje të rregullave të prokurimit publik. Hetimet zbuluan se kompania “5D” përdorte emra të ndryshëm për të fituar tendera. (A2 Televizion)