Policia e Shtetit raporton arrestimin e një tjetër shqiptari në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të operacionit antidrogë “Ura”.
Sipas të dhënave, është arrestuar në Belgjikë shtetasi Gertini Aliu, i kërkuar nga drejtësia italiane për trafik të lëndëve narkotike.
Një nga operacionet më të bujshme antidrogë, i koduar “Ura”, ka çuar në arrestimin e 42 personave, ndërsa 10 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim, përfshirë krerë të grupeve kriminale dhe figura me ndikim në botën e krimit. Në mesin e të arrestuarve ndodhen edhe dy efektivë policie në detyrë dhe një avokat.
Një nga emrat më të përfolur në këtë dosje është ai i Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës, një biznesmen me ndikim të madh në qytetin e Durrësit dhe një figurë e rëndësishme në botën e krimit. Ai vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar. Sipas dosjes së SPAK dhe prokurorisë italiane, aktiviteti kriminal i grupit ka nisur që në vitin 2016, ndërsa hetimet janë intensifikuar nga viti 2020.
Gjithçka është dokumentuar falë përgjimeve të realizuara përmes aplikacioneve të koduara si Sky ECC, të përdorura nga anëtarët e rrjetit për të komunikuar. Sipas Dumanit, një celular i tillë blihej në tregun e zi në Tiranë për 2 mijë euro dhe përdorej për gjashtë muaj, duke arritur një kosto prej 4 mijë eurosh në vit.
Në dosjen e përbashkët të prokurorëve shqiptarë dhe italianë janë dokumentuar mbi 40 raste të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, përfshirë heroinë, kokainë dhe kanabis, si dhe transfertat e shumave të mëdha parash të përfituara nga ky aktivitet kriminal. (A2 Televizion)