Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Një 46-vjeçar, ish-ushtarak, është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Gun Expert”.
Hetimet zbuluan se ai furnizonte grupe kriminale me armë zjarri, ndërsa përdorte taksinë e tij për të shmangur kontrollet policore, shkruan A2 CNN.
Në pranga është vënë 46-vjeçari Altin Celami, banues në Tiranë, i cili u ndalua në Rrugën e Dibrës, teksa qarkullonte me taksinë e tij të verdhë.
Gjatë kontrollit të automjetit dhe banesës, policia gjeti dhe sekuestroi 4 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme armësh, të cilat dyshohet se do t’u shiteshin grupeve kriminale.
Burime nga hetimet bëjnë me dije se Celami kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu dhe ishte arrestuar edhe më parë, në tetor të vitit 2022, për të njëjtën vepër penale. Ai është ish-ushtarak, që shërbente në repartin e Pezë Helmës në Tiranë, nga ku u përjashtua pas arrestimit të parë.
Ndaj 46-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Mbajtje pa leje të armëve” dhe “Prodhim e shitje të narkotikëve”, ndërsa policia po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet furnizimi me armë. (A2 Televizion)
