Garë e fortë për Tiranën, favoritët në 5 qarqe, përfundon konkursi për drejtuesit vendorë në polici

Nga Igli Çelmeta
2 Qershor 2026, 16:06 | Kronikë

Është zhvilluar këtë të martë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, konkursi për katër qarqet vakante në Policinë e Shtetit: Durrësin, Lezhën, Fierin dhe Kukësin.

Dy javë më parë, kryepolici Hita hapi garën për këto katër qarqe, ku kanë aplikuar 21 drejtues policie. Pas përfundimit të testimit, pritet që komisioni të bëjë vlerësimin me pikë të secilit kandidat, nga të cilët katër nga lista fituese do të përzgjidhen nga Drejtori i Përgjithshëm për t’u emëruar në qarqet e Fierit, Durrësit, Lezhës dhe Kukësit, shkruan A2CNN. 

Vende vakante ka edhe në Policinë e Tiranës dhe të Vlorës, për të cilat pritet të hapet gara. Drejtuesit për këto dy qarqe pritet të zgjidhen nga lista fituese e konkursit të zhvilluar këtë të martë.

Emrat më potencialë për të marrë drejtimin e Policisë së Tiranës janë Ermal Muça, si edhe drejtori i komanduar në Durrës, Ervin Hodaj, i cili konsiderohet kandidat potencial edhe për drejtimin e Policisë së Durrësit. Po ashtu, me ndryshimet që pritet të bëhen në ligjin për Policinë e Shtetit, edhe drejtori i komanduar i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, mund të jetë kandidat potencial për këtë qark.

Me ndryshimet që pritet të bëhen në ligj, do të hiqet edhe procedura e konkurrimit për postet kyçe drejtuese, në rastin konkret për postin e drejtorit vendor. Këto poste pritet të plotësohen me emërim të drejtpërdrejtë nga kryepolici. Po ashtu, kryepolici do të ketë të drejtën të japë grada edhe në raste të veçanta.

Ndërkohë, për qarkun e Lezhës, kandidatët më të favorizuar janë Ndue Ndoçi dhe drejtori aktual i komanduar, Arben Nasufi. Në Fier pritet rikonfirmimi i Erion Ahmetit, ndërsa për qarkun e Kukësit favoritë konsiderohen disa emra, si Artion Duka, Alket Shatro dhe Gjovalin Loka.

Ndërkohë, pas komandimit të Ervin Ndreut si drejtor i Policisë së Vlorës, në detyrën e drejtorit të Kufirit në Tiranë është komanduar Ermal Haxhi. Ndërsa Ndreu pritet të marrë emërimin e plotë në Vlorë pas konkursit.

Gjithsesi, vendimin përfundimtar për përzgjedhjen e drejtuesve në qarqe do ta marrë kryepolici Hita. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos