Gazetarët pengohen për të bërë pyetje nga persona të maskuar, reagon Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë

Nga A2 CNN
17 Tetor 2026, 18:27 | Kronikë

Gazetarët pengohen për të bërë pyetje nga persona

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar për episodin ku një gazetar u pengua nga persona të maskuar për t'i bërë pyetje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj.

"Gazetarë të mediave të ndryshme iu drejtuan kreut të Policisë së Shtetit për të marrë një prononcim lidhur me zhvillimet e protestës dhe veprimet e strukturave policore. Megjithatë, Skënder Hitaj jo vetëm që refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve, por, sipas raportimeve, i shpërfilli gazetarët dhe nuk ndërhyri për të ndaluar persona të paidentifikuar dhe të maskuar që po pengonin fizikisht punën e tyre", lexohet në njoftimin e AGSH, shkruan A2.

Njoftimi i AGSH:

AGSH dënon pengimin e gazetarëve nga persona të maskuar pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) është i tronditur nga pengimi i gazetarëve për t'i drejtuar pyetje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, nga persona të paidentifikuar dhe të maskuar që ndodheshin pranë tij në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë protestës së sotme në Tiranë.

Gazetarë të mediave të ndryshme iu drejtuan kreut të Policisë së Shtetit për të marrë një prononcim lidhur me zhvillimet e protestës dhe veprimet e strukturave policore. Megjithatë, Skënder Hitaj jo vetëm që refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve, por, sipas raportimeve, i shpërfilli gazetarët dhe nuk ndërhyri për të ndaluar persona të paidentifikuar dhe të maskuar që po pengonin fizikisht punën e tyre. AGSH e konsideron këtë ngjarje veçanërisht shqetësuese, pasi pengimi i gazetarëve ka ndodhur në praninë e drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, institucionit që ka detyrimin ligjor të garantojë sigurinë e tyre. Refuzimi për të dhënë një prononcim është një zgjedhje e një zyrtari publik, por lejimi i pengimit të gazetarëve nga persona të paidentifikuar është i papranueshëm. Asnjë drejtues institucioni nuk mund të tolerojë intimidimin apo ndërhyrjen fizike ndaj përfaqësuesve të medias që kërkojnë të ushtrojnë detyrën e tyre.

Është thellësisht shqetësuese që, pas pesë ditësh protestash të shoqëruara me incidente të përsëritura ndaj punonjësve të medias, vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të jetë i pranishëm në një situatë ku gazetarët pengohen të kryejnë detyrën e tyre.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos