GJKKO pezullon shefen e SHISH, SPAK: Akuzohet për nxjerrje sekreti, kontrolle Ilir Prodës

Nga A2 CNN
22 Shtator 2026, 15:05 | Kronikë

Vlora Hyseni, drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, institucionit më të rëndësishëm të sigurisë në vend, është zyrtarisht në hetim nga SPAK, e pezulluar nga detyra dhe e detyruar të izolohet në shtëpi. Me kërkesë të dy prokurorëve që po hetojnë dosjen “AKSHI” Gjykata e Posaçme urdhëroi këto masa sigurie, pas dyshimeve se teksa qëndronte në kupolën e shërbimit inteligjent ka konsumuar dy vepra penale, shkruan A2 CNN. Burime të besueshme pranë SPAK konfirmuan se shefja e SHISH dyshohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit”.

Emri i saj u qarkua nga prokurorët gjatë analizimit të të dhënave e siguruara nga hetimit i dosjes "AKSHI", duke ngritur dyshime për favorizime prej Hysenit të biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar një muaj më parë.

Masa e “arrestit në shtëpi”, e firmosur nga GJKKO, e gjeti drejtoreshën e SHISH jashtë Shqipërisë. Nga të dhënat biletat e fundit e prokuroruara nga Institucioni janë në Baku, por ende nuk është konfirmuar nëse ajo ndodhet aty.

Për llogari të të njëjtit hetim, urdhër të GJKKO, mëngjesin e së martës u ushtruan kontrolle në disa ambiente ne Tiranë e Durrës, përfshirë banesën e Ilir Prodës, ish drejtuesin e Policisë së Shtetit. Përveç kontrollit, Proda dha deklarime për gati 2 orë në SPAK, godinë nga e cila doli në një gjendje emocionale jo shumë të qetë.

Veç masës ndaj Hysenit dhe kontrollit të Prodës, gjykata urdhëroi arrestimin e shefit të Laboratorit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi dhe biznesmenit, Embro Sulejmani. Ata dyshohet se kanë dëmtuar disa pamje filmike në të cilat shfaqej biznesmeni Agasi gjatë qëndrimit në arrati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos