Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, pas kërkesës së SPAK. Hyseni, e cila drejton SHISH që prej vitit 2023, është gjithashtu pezulluar nga detyra.
Gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta, raportoi se masa e sigurisë ndaj drejtueses së SHISH ende nuk është ekzekutuar, pasi ajo ndodhet jashtë shtetit. Burime bëjnë me dije se Vlora Hyseni dyshohet për veprat penale “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete shtetërore”. Hetimi është pjesë e zhvillimeve të reja që kanë dalë nga dosja e AKSHI-t, ku një nga personazhet kryesorë është biznesmeni Ergys Agasi, i arrestuar disa javë më parë pas një periudhe në arrati.
Në kuadër të këtij operacioni janë duke u kryer kontrolle në disa banesa të personave të dyshuar. Një prej tyre është banesa e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Proda ishte thirrur mëngjesin e sotëm në ambientet e SPAK, ku ka dhënë deklarime para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit lidhur me dosjen e AKSHI-t. Sipas burimeve për A2 CNN, emri i Prodës ka dalë në komunikime me Ergys Agasin.
Në të njëjtën kohë që Proda ndodhej në SPAK, agjentë të BKH-së kanë ushtruar kontroll në banesën e tij. Kontrollet kanë përfunduar dhe gjatë tyre janë sekuestruar sende që dyshohet se kanë interes për hetimin.
Përveç Hysenit, burimet bëjnë me dije se janë caktuar masa sigurie edhe ndaj dy punonjësve të policisë dhe dy ekspertëve kriminalistë. Operacioni është ende në zhvillim dhe kontrolle të tjera po kryhen edhe ndaj zyrtarëve të Policisë së Shtetit dhe SHISH. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike për shkak të sekretit të hetimit.
Dosja po hetohet nga prokurorët e SPAK, Bledar Maksuti dhe Altin Dumani, të cilët i kanë kërkuar Gjykatës së Posaçme caktimin e masave të sigurisë për personat nën hetim. Hetimet lidhen me dosjen e AKSHI-t, ku Ergys Agasi është arrestuar nën dyshimet për përfshirje në abuzime me tenderat. (A2 Televizion)