34-vjeçarja dhe foshnja e saj 1-vjeçare janë të lira nga burgu i grave në Pojkë. Në seancën e zhvilluar këtë të enjte, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, duke bërë të mundur lirimin e menjëhershëm të Dorina Sejdinit nga burgu.
Megjithëkëtë, çështja për dhunë në familje do të vijojë të shqyrtohet ligjërisht. Dorina Sejdini u arrestua pak ditë më parë pasi hyri në Shqipëri nga pika kufitare e Muriqanit, teksa kthehej me familjen nga Gjermania.
Sipas autoriteteve, ndaj saj ishte në fuqi një vendim i formës së prerë, që e dënonte me 2 muaj burg për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit të saj. 34-vjeçarja u paraqit vullnetarisht në Komisariatin nr. 6, pasi u njoftua nga policia për ekzistencën e vendimit.
Fillimisht, foshnja e saj një vjeçare mbeti jashtë institucionit, por një ditë më vonë iu dërgua nënës, pasi ajo ushtroi të drejtën e parashikuar në ligj për të mbajtur pranë fëmijën nën moshën 3 vjeç. Ndërkohë, dy fëmijët e tjerë të mitur 7 dhe 2 vjeç mbetën në kujdesin e familjarëve. Rasti ngjalli reagim të gjerë publik dhe institucional.
Avokati i Popullit vizitoi34-vjeçaren në burg dhe kërkoi verifikim të plotë të procedurave, ndërsa Presidenca bëri të ditur se po ndiqte nga afër çështjen dhe ishte e gatshme të shqyrtonte edhe mundësinë e faljes presidenciale. (A2 Televizion)