Policia në Pogradec ka arrestuar simpatizantin e Partisë Demokratike, Luan Tollozhina, pas disa incidenteve ku ai u bë protagonist në një qendër votimit, duke dhunuar komisionerin e Partisë Socialiste.
Personi i arrestuar u denoncua edhe nga bashkëshortja e komisionerit të majtë, e cila pretendon se ajo dhe i biri janë dhunuar prej Tollozhinës në ambientet e jashtme të QV-së.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë, Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçë, arrestuan në flagrancë për veprën penale "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve ne zgjedhje" dhe "Goditjet për shkak të detyrës", parashikuar nga neni 329/2 dhe 237 K penal, ndaj shtetasin L. T, 63 vjeç, banues në Pogradec. Arrestimi i tij u bë, pasi më datën 11.05.2025, rreth orës 10.30, ky shtetas ka hyre në QV Nr.3901 në Pogradec, dhe ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike, shtetasin E.G 52 vjeç (me detyrë anëtar komisioni i forcës politike Partia Socialiste e Shqipërisë) në këtë qendër votimi”, njofton policia.
Sipas policisë, Tollozhina e ka goditur komisionerin e PS për shkak se kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi, e bija e 63-vjeçarit, "ka pasur një debat me anëtarin e komisionit shtetasin E. G., në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar etj, që të votojnë ose jo me shoqërues".
Luan Tollozhina u akuzua për dhunë edhe nga një e moshuar. Ish-mësuesja në pension Monda Turshinka ka denoncuar në media se personi në fjalë e ka sharë, ofenduar dhe e ka kapur prej fyti.
Turshinka tha se nuk po bënte asgjë jashtë qendrës së votimit dhe pasi kishte sjellë bashkëshortin për të votuar, i kishte ndodhur ky incident.
Tollozhina për momentin është i shoqëruar në komisariatin e Pogradecit, ndërsa materiale i kaluan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)