Helmohen nga ushqimi 55 kursantë në Akademinë e Policisë në Tiranë

Nga Igli Çelmeta
7 Maj 2026, 08:27 | Kronikë

Rreth 55 kursantë në Akademinë e Policisë në Sauk janë helmuar ditën e djeshme nga ushqimi. Më pas janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

A2 CNN mëson se kursantët kishin të vjella dhe diarre. Dyshohet se janë helmuar nga brokoli.

Pasi kanë marrë ndihmë mjekësore kanë dalë nga spitali, dy prej tyre ndodhen ende në spital.

Gjithmonë kursantët e Akademisë së Sigurisë kanë pasur ankesa për cilësinë e ushqimit që iu jepet.

A2 CNN raporton se dje pasdite kanë shkuar rreth 10 ambulanca në Akademi për të çuar kursantët në spital.

"Ditën e djeshme, rreth 55 kursantë, studentë të Akademisë së Sigurisë janë helmuar si pasojë e ushqimit dhe situata ka qenë alarmante pasi studentët kanë pasur simptoma të rënda si të vjella, diarre dhe këputje. Menjëherë kanë lajmëruar drejtuesit e Akademisë së Sigurisë dhe rreth 10 ambulanca kanë shkuar tek Akademia e Sigurisë për të bërë transportimin e studentëve drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, rreth 55 studentë kanë shkuar në spital, kanë marrë ndihmë mjekësore gjatë gjithë natës. Dyshohet se studentët janë helmuar gjatë vaktit të drekës dhe pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, disa prej tyre janë rikthyer sërish disa nëpër banesa, disa sërish në Akademinë e Sigurisë, ndërsa akoma dy studentë me simptoma më të rënda ndodhen në spitalin infektiv", tha gazetari Igli Çelmeta në një lidhje direkte me studion e "Dita Jonë" nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN.

Firma "Sori Al" ka tenderin për ushqim për kursantët e akademisë. Policia ka ndaluar dy persona nga firma që siguron ushqimin për kursantët e akademisë së policisë. Në kërkim është shpallur pronarja e kompanisë që ofronte ushqimin.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos