Prej datës 10 prill, drejtori i përgjithshëm i policisë, Skënder Hita, ka vendosur të heqë patrullat rrugore, me argumentin se, përmes teknologjisë së radarëve dhe dronëve, identifikohen lehtësisht shkeljet rrugore pa pasur nevojë për ndalime pa shkak nga policia.
“Kam nxjerrë një telegram që nuk duhet të ndalojmë makina në akset kryesore minimalisht, pra ndalimi nuk duhet të jetë pa asnjë shkak. Nga komentet që kam parë në media, ka pasur një vlerësim pozitiv nga pjesa dërrmuese e qytetarëve”, u shpreh Hita.
Synimi i këtij vendimi, sipas policisë, është rritja e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimi i çdo akti abuziv në terren. Kjo e fundit duket se është parandaluar, por shifrat për rritjen e sigurisë rrugore flasin ndryshe.
Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin mars 2026 janë shënuar në total 10 viktima nga aksidentet dhe 107 të plagosur në harkun kohor 4-javor.
Nga një hulumtim që A2 CNN ka bërë nga data 10 prill, kur doli urdhri, deri më sot, pra në një hark kohor 2-javor, në vendin tonë janë shënuar të paktën 36 aksidente të raportuara në media, me 14 viktima dhe të paktën 62 persona të plagosur.
Shifrat janë vetëm për aksidentet e raportuara në media në vetëm dy javë pas telegramit të Hitës, fakt që tregon se situata mbetet ende shqetësuese sa i përket sigurisë rrugore edhe pas urdhrit të ri të kryepolicit.
Krahasuar me muajin mars, ku janë shënuar 10 viktima, pas heqjes së patrullave në akset kryesore rrugore, në muajin prill, në vetëm dy javë, janë regjistruar 14 viktima.
Numri i lartë i aksidenteve mund të jetë edhe rastësi, por edhe tregues se, si shoqëri, nuk e ndjejmë rrezikun nëse presioni para nesh nuk është fizik dhe, për pasojë, rrezikojmë deri edhe jetën tonë.
AKSIDENTET (11–27 PRILL)
TOTALI 36 aksidente
14 viktima
Të paktën 62 të plagosur
27 prill
-Aksident në “Elbasan-Librazhd”, përplasen 2 automjete. (1 viktimë dhe 6 të plagosur)
-Aksident në aksin Lushnjë-Berat, “Ford-i” përplaset me shtyllën. (2 të plagosur)
26 prill
-Në Tiranë, pranë Urës së Çerkezës, një 42-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor. (1 viktimë)
-Në aksin “Librazhd–Elbasan”, në fshatin Labinot, një aksident i rëndë ka shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri. (1 viktimë, 1 i plagosur)
-Në Vlorë, një autobus me nxënës ka dalë nga rruga, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.
-Në aksin Palasë–Dhërmi, një 21-vjeçar ka përplasur një makinë të parkuar dhe një efektiv policie. (1 i plagosur)
25 prill
-Në aksin Lezhë–Kakarriq, një aksident tragjik i ka marrë jetën babait dhe vajzës së tij. (2 viktima)
-Në degëzimin e fshatit Vloçisht, si pasojë e një aksidenti rrugor, kanë mbetur të plagosur tre persona. (3 të plagosur)
24 prill
-Në aksin Elbasan–Cërrik, dy automjete janë përplasur “kokë më kokë”, ku për pasojë ka humbur jetën një 28-vjeçar dhe është plagosur një tjetër. (1 viktimë, 1 i plagosur)
-Në Tiranë, një kamion ka përplasur për vdekje një 61-vjeçar, plagoset kalimtari. (1 viktimë, 1 i plagosur)
-Në aksin Fushë Krujë–Milot, një aksident i rëndë ka lënë një viktimë dhe tre të plagosur. (1 viktimë, 3 të plagosur)
-Në Maliq, dy automjete janë përplasur kokë më kokë, duke lënë dy persona të lënduar. (2 të plagosur)
-Në Lezhë, një kamionçinë ka përplasur një motomjet, duke lënë të plagosur një 24-vjeçar. (1 i plagosur)
-Në aksin Hani i Hotit–Vermosh, një automjet është përplasur me një mjet bujqësor, duke lënë një person të plagosur. (1 i plagosur)
23 prill
-Në tunelin e Llogarasë, dy automjete janë përplasur duke u dëmtuar rëndë dhe si pasojë janë plagosur dy persona. (2 të plagosur)
-Në aksin Kavajë–Rrogozhinë, një 39-vjeçar ka përplasur për vdekje një këmbësor. (1 viktimë)
22 prill
-Në autostradën Lushnje–Fier, një motor është përplasur me një makinë dhe drejtuesi i motorit ka mbetur i plagosur rëndë. (1 i plagosur)
-Në aksin Velipojë–Shkodër, dy automjete janë përplasur, duke lënë të plagosura tre pasagjere. (3 të plagosur)
21 prill
-Në aksin Tiranë–Durrës, një 39-vjeçar ka humbur kontrollin e automjetit dhe për pasojë ka ndërruar jetë, ndërsa pasagjeri është plagosur. (1 viktimë, 1 i plagosur)
20 prill
-Në aksin Maqellarë–Peshkopi, një aksident i trefishtë ka lënë të plagosur gjashtë drejtues mjetesh. (6 të plagosur)
-Në kthesën e fshatit Goriçaj, në Lushnje, dy automjete janë përplasur duke lënë tre persona të plagosur. (3 të plagosur)
19 prill
-Në autostradën Rrogozhinë–Lushnje, pranë fshatit Konjat, një aksident rrugor ka lënë një person të plagosur. (1 i plagosur)
-Në Kukës, një automjet ka përplasur për vdekje një këmbësor. (1 viktimë)
-Në hyrje të Sarandës, në zonën e Qafë-Gjashtës, dy automjete janë përplasur duke lënë një person të plagosur. (1 i plagosur)
-Në Fier-Shegan, dy automjete janë përplasur kokë më kokë, duke shkaktuar plagosjen e një personi. (1 i plagosur)
-Në aksin Çermë–Lushnje, janë përplasur tre makina dhe një prej drejtuesve ka mbetur i plagosur. (1 i plagosur)
18 prill
-Në Gjirokastër, një aksident i shkaktuar nga një punonjës bashkie ka lënë tre persona të plagosur dhe disa automjete të dëmtuara. (3 të plagosur)
-Në aksin Milot–Rrëshen, një automjet ka përplasur për vdekje një këmbësor 70-vjeçar. (1 viktimë)
-Në Kukës, pranë rrethrrotullimit të Shtiqnit, një makinë është përmbysur duke lënë një person të plagosur. (1 i plagosur)
17 prill
-Pranë Rubikut, dy automjete janë përplasur kokë më kokë, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve. (2 viktima, 3 të plagosur)
15 prill
-Në aksin Balldre–Torovicë, drejtuesi i një motori ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një mur, duke mbetur i plagosur së bashku me bashkëshorten. (2 të plagosur)
12 prill
-Në Vlorë, një automjet tip “Benz” ka përplasur dy mjete të tjera teksa tentonte të shmangte një fëmijë, duke lënë të plagosur lehtë një 8-vjeçar. (1 i plagosur)
11 prill
-Në Poliçan, një makinë ka dalë nga rruga dhe janë plagosur babai me dy vajzat. (3 të plagosur)
-Në aksin Korçë–Bilisht, përplasja e tre automjeteve ka lënë një person të plagosur. (1 i plagosur)
-Në Vlorë, një aksident tjetër ka lënë të plagosur shoferin dhe katër pasagjerë. (5 të plagosur)
-Në aksin Vlorë–Himarë, është plagosur një 26-vjeçar që drejtonte një motor. (1 i plagosur). (A2 Televizion)