
Një 63-vjeçar ka humbur jetën një ditë më parë në punë pasi ra nga lartësia e një banese ku punonte. Policia bën të ditur se sot ka shpallur në kërkim administratorin e subjektit ku punonte 630vjeçari, ndërsa nisi hetimi në gjendje të lirë për inxhinierin dhe përgjegjësin e subjektit.
“Në lagjen nr. 8, Durrës, shtetasi F. M., 63 vjeç, banues në Durrës, i cili ka qenë duke punuar në një banesë, dyshohet se ka rënë nga lartësia dhe, si pasojë, ka humbur jetën. Grupi hetimor po punon për saktësimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme”, njoftoi Policia e Durrësit një ditë më parë.
“Në vijim të informacion të dhënë dje, mbi humbjen e jetës së shtetasit F. M., 63 vjeç, dyshohet si pasojë e rënies nga lartësia, gjatë kryerjes së punimeve të ndërtimit në një banesë në lagjen nr. 8, informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës shpallën në kërkim administratorin e subjektit për llogari të të cilit punonte 63-vjeçari, shtetasin G. Z., 57 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për inxhinierin dhe përgjegjësin në këtë subjekt, përkatësisht shtetasit J. S. dhe A. Z. Veprimet procedurale për të tre shtetasit u kryen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Punohet për kapjen e shtetasit G. Z..”, njoftoi policia e Durrësit sot.
(A2 Televizion)
