Kapet me drogë marinari italian i tragetit Durrës-Ankona

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2025, 13:06 | Kronikë

Kapet me drogë marinari italian i tragetit Durrës-Ankona

Një shtetas italian, punonjës në tragetin e linjës Durrës-Ankona është arrestuar nga blutë e qytetit bregdetar nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit “Next” u bë arrestimi në flagrancë, i shtetasit italian S. M., 25 vjeç, me detyrë marinar.

Ky shtetas u kap në flagrancë në ambientet e terminalit të pasagjerëve të Portit Durrës, në dalje të Republikës së Shqipërisë. Pas kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, bazuar në informacionet e siguruara më parë, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pako brenda së cilës kishte lëndë narkotike në formë boçeje, të dyshuar kanabis.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit të arrestuar në flagrancë S. M., për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos