
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Korçës, ku 48-vjeçarja Gentiana Nano është gjetur e pajetë në dhomën e saj nga djali dhe babai. Gruaja kishte shfaqur probleme shëndetësore gjatë dy ditëve të fundit, ndërsa familjarët pretendojnë se mjekët nuk kanë treguar kujdesin e duhur.
Sipas të birit, Erdiol Nano, e ndjera ishte dërguar dy ditë më parë në urgjencën e spitalit të Korçës pasi kishte vështirësi në frymëmarrje. Ajo u trajtua në shërbimin e urgjencës, iu komunikua se vuante nga anemi dhe u la të largohej për në shtëpi.
“Mami thoshte se nuk ndihej mirë dhe kishte rrahje të larta të zemrës. Na thanë që ishte anemi dhe e nxorën nga spitali. Si mund të lësh një njeri të ikë kur të thotë ‘nuk ndihem mirë’?” deklaron djali i saj.
Një ditë më pas, gjendja e 48-vjeçares u përkeqësua sërish. Ambulanca ndërhyri duke i kryer tre injeksione, pasi viktima kishte tension të ulët dhe rrahje të larta të zemrës. Megjithatë, sipas familjarëve, ajo vazhdoi të ankohej gjatë gjithë ditës.
“Dua të di pse mjekët nuk na udhëzuan çfarë të bënim? Pse nuk e mbajtën në spital? Sot më ndodhi mua, nesër mund t’i ndodhë dikujt tjetër” shprehet Erdiol Nano.
Mëngjesin e sotëm, familjarët e gjetën Gentiana Nanon pa shenja jete në banesë.
Policia e Korçës po merr deklarimet e familjarëve, ndërsa në vijim pritet të pyeten edhe mjekët që kanë qenë në shërbim gjatë dy ditëve të fundit. Trupi i 48-vjeçares do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. (A2 Televizion)
