
Një tjetër shqiptar i kërkuar nga drejtësia është ekstraduar së fundmi nga Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët italianë.
Si rezultat i bashkëpunimit mes dy agjencive, u finalizua ekstradimi nga Italia në Shqipëri, i shtetasit Klajdi Murrizi.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2024, me vendim të formës së prerë, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur deklarimin fajtor për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, duke e dënuar me 6 vite burgim.
Në vitin 2022, Klajdi Murrizi, në momentin që do t’i dorëzonte një sasi lënde narkotike një shtetasi tjetër, është diktuar nga shërbimet e Policisë.
Ai ka hedhur lëndën narkotike dhe është larguar me shpejtësi me një automjet me targa të huaja, duke mos iu bindur për të ndaluar punonjësve të Policisë në një pikë kontrolli tjetër të ngritur për kapjen e tij, në afërsi të Divjakës.
Shtetasi i ekstraduar nga Italia iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. (A2 Televizion)
